E diela e verdhë
Nëse të ka marrë malli për lulet
Për ëndrrat dhe për shiun
Kthehu
Por ec ngadalë me hapa të lehtë si flutur
Pa të parë askush
Deri në të dielën e verdhë
Mos u ndal të pushosh në hijen e vdekur
Se të zë mallkimi!
Në këtë rrugë mizore, të pa krye
Secili ka humbur diçka të bukur,
Diçka të shpirtit
Në dritën e hënës jemi thinjur
Të rinj
Duke e pritur verën e vonë,
Filxhani me kafe ka ngelur gjysmë i zbrazur
Sikur të ishte për herë të fundit
