Ke frikë?
Mike moj, e brishta mike,
Nga dashuria ke frikë?
Ëmbël fola, ti më ike,
Si loti zbret nën qerpikë.
Valëz mbi dallgë moj mike,
Ag argjëndor që rrëzon nur,
E trembur më pe dhe ike,
Pse s’fole siç bëje dikur?
Ishe e vogël, u rrite,
Margaritë në lëndinë,
Sa shpejt rendën ato vite,
Pse s’pritën mua të zinë.
Xixëllonjë maji ishe,
Si hënëz mbi trëndelinë,
Të natës ëndërr ma prishe,
Kur yjet zbrisnin magjinë
.
E truar puhi moj mike,
Kur kaloje ndjeja freski,
E frikës tënde besnike,
Nga një zhgënjim në dashuri.
Zjarr i fshehur, i mbuluar,
Nuk e pash atë as në sy,
Eja t’i prek ato duar,
Të digjem dhe unë aty.
Unë jam muzg i vonuar,
Po si mjaltë do jem për ty ,
Ti, diell i sapozgjuar,
Do zbresësh puthje për të dy.
Frikë ke nga dashuria?
Të ngroh ajo, të jep jetë,
Larg saj peng të mban vetmia,
Lule të vyshkur, të shkretë.
Mike moj, e urta mike,
Të dashurosh frikë pse ke?
Zjarrin e ndezur s’e fike,
Pa unë të shuhesh s’të le.
