Unë buzëqesh, po jo në sy
Ti mendon se jam i lumtur kur qesh?
Se jeta ime është kalërim?
Eh, jo, i dashur mik, kudo të jesh,
Do kesh dhëmbje, brenga, lodhje, mundim.
Shpesh as dielli për ty nuk do jetë,
Dhe pse mesditës vapa përvëlon,
Ky qytet do duket tejet i shkretë,
Edhe pse jeta gjithandej gëlon.
Kur më sheh që qesh, mos më ki zili,
I mban gjaku lotët e zemreës sime,
Miq e shokë kam plot, po ndjej vetmi,
Se shpirtin e kam nisur në shtrgtime.
Kur me ndjen që qesh, mos më shih në sy,
Thellë, atje, do gjesh vetëm trishtim,
Nuk dua mëshirën të të ngjall ty,
As të të pikoj hidhërimin tim.
Ndodh që e humbas, më rrëmben harresa,
Ndonjëherë, as ty s’të përshëndes,
Them se atë çast më ka thirrur shpresa,
Tretur në ëndrra jam këtë mëngjes.
E di or mik, shpresa është kusare,
Të rrëmben jetën dhe të thotë : ” Prit!”
Pastaj të humb në gjurmë gënjeshtare,
Në mijëra udhëkryqe të nxit.
Po dhe durimi qenkërka timzar,
Të kap rob dhe peng të mban sa më gjatë,
E ndjek si bariun qingji manar,
Ndonjëherë zhduket tej, nëpër natë.
Pa zë e thërret të bekuarin fat,
Askush nuk e sheh, kërkush s’ta tregon,
Nëpër ëndrra nis kërkimin që zgjat,
Në agim sheh veç vesën që loton.
Del nga shtëpia në ditën e re,
Sërish me shpresë, durim dhe me fat,
Ja pse qesh hidhur dhe eci më nge,
Veç loti troket zemrës me inat.
O mik, kur sheh që qesh, mos ki zili,
Se gëzimin e nisa në mërgim,
Dhe mos hyr thellë në sytë e mi,
Do ndjesh veç buzëqeshje në trishtim.
