Filozofia e së dielës…
Po mund të mos ndodhnin kurrë
ato ngjarje që dëshironin të ndodhnin!
Tri herë takova ditët e mia
të mbledhura në gërshetime ngjarjesh
dhe të tri herët i braktisa, e bindur
se do të gjeja ditë më të bukura.
Në brigje lumenj lëshova barka letre
që në grykëderdhje m’u kthyen poezi.
Zjarret e netëve pa hënë i ndezëm
me pluhurin magjik të puthjes,
që e vodhëm nga zotat si flakë Prometeu.
Kalvarin e faljes e përshkuar çdo ditë
duke pasur në mend Jerusalemin
dhe lindëm fëmijë të bukur,por
mbi të gjitha fëmijë më të guximshëm
sesa ishim ne, kur ishim sa ata.
Orakujt nuk i besuam se veten tonë
e shihnim të zbritur nga yjet.
Në fund të ditës u shtrirë për të fjetur
si dy pika të vogla të kësaj gjithësie,
fjetëm mirë, pa u përpëlitur
në ëndrra vjeshte,
Fjetëm si të vdekshëm, gjumë perëndie…
