Shkova të shoh shokun e vjetër,
në shtratin ku jeta shuhej ngadalë,
një sëmundje e rëndë i kishte zënë frymën,
dhe fundin e priste i qetë,pa fjalë.
Hyra në dhomë me hapa të lehtë,
gruaja i rrinte mbi krye ,
me oksigjen merrte frymë,
më bëri me shenjë ,
të mbetshim vetëm ne te dy.
I lodhur, mezi fliste:
“A të kujtohet, kolegu im,
gjithë ato vuajtje e mundime,
ditë e natë i kaluam në studime?
Ne mendonim se kur të bëhemi mjekë,
askush më s’kishte për të vdekur,
vetëm nga kanceri nëse ishte prekur.
Sa me ëndje ne studionim,
edhe të dashurat i anashkalonim,
por edhe kur filluam të punonim,
netë pa gjumë në kujdestari kalonim.
Mushkëritë nuk më punojnë,
sëmundja gjithçka më shkatërroi,
alveolat më janë mbushur lëng,
me gjysmë kapaciteti frymë marr.
Sa herë ankohem për dhimbje,
më japin morfinë për qetësime,
më turbullohet vetëdija ime.
Mirë bëre që ke ardhur,
se të tjerët më harruan,
kur s’kanë interes,
kolegët, as familja nuk të duan.
Nuk po më dhimbset jeta ime,
por truri i mbushur me gjithë ato shkrime,
koha e humbur në studime,
jetë modeste me plot mundime.”
Heshta.
Fjalët më mbetën në fyt.
Ai më shikoi thellë në sy –
si për herë të fundit
dhe ra në kllapi…
