ATJE
Atje, ku dita ngryset plot gaz
Mbi lis lejleku çerdhen ndërton
Ku shtati rritet porsi lastar
Pa reshtur mendja gjithnjë më shkon
Në atë fshat të vogël, një lumë sa grima
Që çdo pranverë gati tërbohej
Mbushej me ujë e tërë shtëpia
Sa veç fëmija mund të gëzohej
Unë si çunak, ashtu e doja
Atë ujë të turbullt, tërë llumë e pisë
Me dyja këmbët puset qëlloja
Ish lojë fëmijësh, e dëlirë, e brishtë
Të rriturit vinin duke sharë
Ik, or mistrec, se u bëre qullë
Po kush kish hovin ne të na ndalë
Atë fëmijëri, plot shpirt e vrull
