POEZI PËR TY
Një gjethe po të nis, ti shkruaj ç’të do zemra,
Veç mos e shih si dridhet se kthehesh vetë në pemë.
Në sytë e saj të gjelbër lexo me mijëra emra,
Që era i ka shkruar prej qejfit a në pezm.
Aty dhe udhë e fjetur gërhimash thur rrëfime,
Me ca stërkala puthjesh, mbuluar fund e majë.
Një gjethe po të nis… kjo është e fshehta ime,
Që çel në ledha shkurti dhe frymën jep në maj.
Mos thuaj se harresa, me çapëza prej dhelpre,
Më bëri bir për shpirt, më mbylli në bodrume,
Se, ja… të gjente ty kjo Doruntinëz gjethe,
E nisa gjumëprishur, si farfuri fatlume.
Dy krahë që fëshfërijnë, i bëhen degë së voglës,
Ia fshijnë të zymtën vjeshtë, që fsheh në gji të vet
Dhe fjalët çelin sytë, si lulet sipër kodrës,
Rreth teje zënë lodrojnë, si bletët, valët, retë…
