O NJERI
Nëse sheh një pemë të moçme
Mendjen vrije, si t’ia zgjatesh jetën?
Flake prej vetëvetes mëndjen boshe
Që mendon ta bëjë dru për djegie.
Nëse sheh diku një masë shkëmbore
Me qëndresën lidhe dhe quaje kalà,
Flake tej idenë që ia vlen për gurore
Nga etja e madhe për fitim dhe parà.
Nëse sheh një përrua malor me ujë
Kanioneve tek zbret furishëm, ujvarë,
Pikë turistike imagjinoje gjithë përulje
Jo t’i vësh digë, ta bësh hidrocentral.
Nëse sheh një fushë të lënë djerrë
Shpirti të ther, që i zoti s’i del për zot,
Shtatin e asaj fushe pjellore e të gjerë
Me drithëra dhe fruta ta mendosh plot.
Nëse sheh liqej që lëngojnë dhe diga
Apo lumenj me argjinatura të çara,
Ujëra që rrezikojnë furishëm në dimra
Mendo si të mos përmbyten shtëpi e ara.
Nëse sheh pyje, që si njerëz digjen
Nga pakujdesia, apo me qëllim,
Mendo se gjuhët e flakëve që lëpihen
Shpirtin tend shkrumbojnë dhe shpirtin tim.
Nëse sheh njerëz me çifte në krah
Që veten me mburrje quajnë gjahtarë,
Kur mbi shpendë qëllojnë, ta dish, ata
Shpirtin tënd kanë plaguar dhe vrarë
Nëse nuk e ke dëgjuar thënien nga të parët:
“Në fillim zhduken pyjet e më pas gjallesat”
Nguliti mirë në mend, si gozhdë te trarët:
“Pa mjedis, qenies njerëzore i vjen vdekja!”
