Mos u tall me horizontet e mia të copëtuara
Që dymijë vjet janë kthyer në kafshatë bishash
Sot, as vetë, nuk e di çfarë ka mbetur në këmbë
Nga ajo kështjellë ku hyjt patën shtëpinë
Thjesht shikoi sa plagë kanë marrë
Nga padrejtësi e shekujve grabitqar
Po të duash gërmo nën rrënoja aty ku gurët
Flasin me gjuhë të pastër perëndishë.
Bëhu një herë kurioz dhe i drejtë kalimtar
Thirri shekujt dhe uli në log burrash
Të flasë secili pa rrotulla çfarë ka parë
Le të flasin dhe trimat e mi, rënë ndër luftra
Takohu një herë me dashurinë e erës, rrugëtar
Horizontet që t’i shikon janë të etura për dashuri
Janë lodhur në akullnajat e thella që kurrë s’u shkrinë
Kanë nevojë që një fjalë e ngrohtë të sjellë pranverë
Unë vazhdoj rrugën t’ime në rrjedhën e kohës
Nga Zoti im diell nuk largohem jo!
Do të dal në majë të maleve të mi të lartë
Në natën e pranverës të bisedoj me Zotat
Do ta ul shpirtin tim të zhveshur në hotizonte
Dëshirat e pastra do t’i kthej në ylber
Dhe me të do të zbukuroj varret e etërve
Të cilët ranë për këtë tokë, për fjalën e drejtë
Aty në majë, në kuvend me Zotat
Do të këndoj një këngë me lahutën time
Të cilën varur në mur e kam qyshse bota u krijua
Dhe në shekuj më ka mjekuar plagët e rënda
Ta dijnë shekujt, ta dish dhe ti ardhacak shtegtar
Se unë dhe lahuta jemi sinonim i njëri tjetrit
Ajo zërin nga zëri im e ka marrë
Siç merr toka ngrohtësinë prej diellit
