SHTËPI E BRAKTISUR
Shtëpi e braktisur, sa herê vij te ti,
Dhe e hap derën unë me nxitim,
Më duket vetja krejt çilimi,
E muret m ‘hidhen shpejt n’ përqafim.
Ti mbase gëzohesh, t’ erdhi yt bir,
Unë bredharaku n’ prehërin tënd jam,
Natën e vonë, tutje n’ errësirë,
Ca qen të lagjes lehin
: ham-ham.
Nis dhe m’ qorton në ballë të murit,
Babai plak n’ fotografi,
Ç’ janë këto endje, ku është besë e burrit,
Si lihet shtëpia pa njeri?
Ne rrimë bashkë dhe s’ ngopemi dot,
Mëngjeseve të hershme e netëve vonë,
Unë mbushem sërish nga ti jetë plot,
Them: sa zgjatë për mu’ kjo maratonë?
Se dhe jam zbardhur, n’ kokë m’ ka rënë borë,
E ti për mua mbete gjithê peng,
Derisa të vijë e madhe orë,
Me mall tê madh, por edhe brengë.
Pastaj kur çelësin e fus përsëri,
Të të lë të vetēm prapë si më parë,
Ç’ më hapet gropë e madhe në gji,
Nisem prapë rrugës zemërvrarë.
Dhe zemërvrarë eci tutje,
Ç’ është them kjo jetë, kjo mynxyrë,
Ç’më shkojnë përbrenda si një rrëke,
Mijëra përbindsha të pështirë.
