Perëndimet
Të kam thënë, në ato çaste mos më fol,
kur sytë përtej në horizont i mbaj,
kur lejoj që bukuria të më marrë me vete,
të më mahnitë me madhështinë e thjeshtësisë të saj.
Mos më fol për bukuri të tjera të zakonshme,
kur më magjeps perëndimi dhe rri e mendoj,
puthjen e zjarrtë të diellit me natën,
ashtu, qetë, ëmbël, më ler të shijoj.
Mos fol i dashur, bashkë të dy përqafuar,
të ndjekim atë çast, kur toka ngjyrat i dërgon për gjumë,
vetëm e kuqja flakërruese nuk i bindet ngahera,
kësaj mrekullie kush nuk i bie në gjunjë?!
Të shohim lojën e natës kur ditën është duke ndjekur,
si dy të dashuruar që ndjenjat i mbajnë të strukura,
por ata kurrë nuk jetojnë bashkë, as nuk flenë,
veç nga prekjet e tyre zjarrshpërthyese,
lindin perëndimet më të bukura.