KOHË E NGRIRË!
Me një fjalë lëndimi, kur llafose
Nga ajo gjuhë, ty lehtë të njoha
Pa faj mua, në shpirt më plagose
Njeriun më mirë, e tregon koha.
Kohë çudirash, si filma me aktorë
Kohë ku vriten, plumbi si dhuratë
Kohë e pa gjurmë, kjo e pazakontë
Kohë e turbulluar, tretur mbi plagë.
Urrejtje e urrejtjes, që pjell djallëzi
E mbjellë, shtuar si kuskutë në ara
Zot falu kusuret, në shpirt harmoni
Pa ardhur ora, po vdesin të gjallët.
Jetë e shkurtër, që tjerr fillin e saj
I varfëri shtypet, nën këmbë xhelati
Se shpirtra të akullt, ngrihen si agai
Kufoma të djallta, s’u bëhet rehati.
Kur bie Dielli, përqafon fushë e mal
Me dashuri mirëpret, natyra e shenjtë
Kush i vë çadër, hapin dot s’ia ndal
Kur në shpirt mirësia, rrënjë ka zënë.
