IRMA KURTI – NJË DITË
Një ditë me siguri unë do të qesh
me brishtësinë e k’tyre ditëve, me
rrëketë e lotëve që pa asnjë shkak
derdh, me trishtimin që s’më lë të
mbyll sytë.
Një ditë me siguri unë do të qesh
me fëmijën e vetmuar e të brishtë
që kushedi pse e ka humbur veten,
për ta gjetur atje, në një udhëkryq.
Një ditë unë do të qesh, me siguri,
por ajo ditë më ngjan e largët tani…
Marrë nga libri “Diellin shoh pas qelqesh”, Youcanprint 2023, Itali