Grua prej ere
Je frymë drite në beh;
banon nëpër gjethe,
në shtëpiza ajri.
Rrekem, prej dritës
prej zërit të të shthur,
por rrallë e më rrallë më vijnë;
vizualitetin tënd e kam harruar prej kohësh.
O malli im, që kaq butë më mërtis,
nuk të vjen keq për sytë e mi?
Të ngulur në erë, presin gjer në verbim
për një shenjë, për dritë.
Krahët e mi hapësirën kërkojnë
gjeometrinë,
topografinë e gjësendeve ku banon prekja jote;
fati i ka caktuar, kur i ktheu në qenie.
Por duart janë bërë për të prekur
për t’u dridhur, përkëdhelur e djegur;
për shpirtrat ende bota s’ka shpikur
duar e gishta të tillë
të shijojnë trupa prej ajri.
Grua prej ere,
frymë drite në beh
më bëre të ndjej ç’kam humbur..
