MES LABIRINTIT U SHFAQE TI
Sa herë më lodhi, më tundoi, më përplasi për tokë jeta,
Sa herë shpirt’tretur, dërrmuar më la pa frymë,
Rrugëve të sheshta, me gurë, disa herë dhe të përpjeta,
Me mua qante qielli, jetoja mjegullës e në brymë.
Sa pak pushova kur shtati i lodhur më tundej si gjeth i thatë
E vrapova në ato rrugë trembur, me shuajt e këpucëve ronitur,
Çdo sekondë që ndalesha më dukej hendek, një kanal i gjatë, shumë i gjatë,
Ndaj eca dhe urreva të pushoj,vrapova,shpesh lodhur ditën tjetër duke pritur.
Dhe s’di sa herë u mërzita, sa herë ndodhi kjo, nuk e di,
U mërzita nga lodhja dhe duke rendur e nuk pash askund asfalt,
Atëherë çuditshëm në mes një labirinti, pa fund e krye, u shfaqe ti,
Mërzitja atë çast, u ter në diellin e agimit, dhe yjet filluan të shkëlqenin çdo natë.
Atë çast vendosa:
Vendosa të fal, të fal në heshtje pa zhurmë e bujë, qetë e ngadalë,
Të fal ditët kur i gjykova se jeta më lodhi, më lëndoi ndonjëherë,
Por edhe ato ditë kur nuk desha të pushoj, po po dhe ato ti fal,
Në fund dhe ditët kur u mërzita vendosa të mos i kujtoj asnjëherë.
Se, jeta është e tillë, të buzëqesh, diku të ngre dhe prita, mos ndal,
Por duhet jetuar se është dhuratë që të bëhet vetëm një herë.
