Barcelona është një makineri e golave.
Gjiganti katalunas e ka nisur në mënyrë sensacionale sezonin e ri në kampionatin spanjoll.
Pas “manitas” që ia dhanë mbrëmë Sevillës, “Blaugrana” u ngritën në kuotën e 39 golave në 12 ndeshje zyrtare të këtij edicioni.
Kjo Barcelonë është duke i bërë konkurrencë ekipit të sezonit 2016/17, kur në sulm ishin yjet Lionel Messi, Neymar e Luis Suarez, shkruan “Gazeta Express”.
As në kohën e Guardiolës nuk ishin regjistruar numra aq të lartë: në sezonin 2011/12 në këtë periudhë të sezonit ekipi i kishte realizuar 36 gola.
Shifra të jashtëzakonshme, të cilat ishin kaluar vetëm nga skuadra e Luis Enriques.
Treshja e tij e mrekullive “MSN” i kishte shënuar plot 42 gola në periudhën e njëjtë të sezonit.
Tash po shkëlqejnë Lewandowski, Raphinha e Lamine Yamal.
Sulmuesi polak është në formë të hatashme nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.
Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit e Bayern Munichut i ka shënuar 12 gola në 10 ndeshje të këtij sezoni në La Liga.
Ai udhëheq në krye të listës së realizatorëve, i ndjekur nga Kylian Mbappe i Real Madridit dhe Ayoze Perez i Betisit.
Lewa po shkon me hapa të sigurt drejt fitimit të trofeut “Këpuca e Artë”, e cila e shpërblen golashënuesin më të mirë të sezonit në ligat evropiane.
E Barça, nga ana e saj, do t’i hyjë furishëm dhe me plot optimizëm “El Clasicos” së fundjavës që po vjen kundër Real Madridit. /Gazeta Express/