Në dhe të butë mbolla farë të vërtetë,
u rrit kërcelli, shpërthyen gjethet,
i lashë të pushtonin hapësirën e lirë,
por papritur mbeta në terr, pa rreze…
Preva ca degë, që të shihja më mirë.
Nisa të shoh, por më shumë pashë retë,
që shpeshherë më dhuronin lotë.
Vendosa t’i shkurtoja gjigandet gjethe,
veç pak diell të ruaja për vete…
Një rreze të plotë, që prek edhe dete.
Një rreze që thyhet mbi ujë si pasqyrë,
që pasqyron farën e mbjellë me kujdes…
Të shoh frutat të piqen, të rriten ngadalë,
para se të më afrohet stina e vdekjes.
