Wednesday, February 5, 2025
BallinaVitrina e libritRiza Braholli Mborja-M’i shtjerë kafes pak nga syri yt

Riza Braholli Mborja-M’i shtjerë kafes pak nga syri yt

U ul e që prej tej me hap të lehtë
ia behu amë e fllad e farfuri.
Mëngjesi që i shurdhët ish, i zbehtë,
u mbush me zëra malli; për çudi
që kurmit iu vërvit një sillë e nxehtë.


Çdo marrësh? – tha me zërin si prej flete
q’i shket në prehër vjeshtës e pafat.
Ai përtypi fjalët: – kamariere
ç’të duash sill, veç hidhmë pak mëkat,
pak shenjtëri prej femre e prej ere!


Si? Më falni, s’ju dëgjova zotëri…
Por edhe pse i plogët nga përdhesi
i rrodhi dufi i shpirtit përsëri;
me një vështrim të etur, (jo prej vesi)
një kafe – tha: – por m’hidh pak vesk të ri.


Si si!? Më duket paske pirë!
Jo jo s’jam dehur kurr’ në këtë jetë,
veç sot ky zëri yt si verë e mirë
më duket po më shëmb me të vërtetë,
sikur një but me verë të kem pirë.


Të pyes dhe njëherë: të lutem, ç’do të pish?
Këtu shërbejmë vetëm kafe e pije.
Më sill një kafe shqeto e mos ma prish,
m’i shto pak psherëtima dashurie;
dhe i vdekur po të jem, ngjallem sërish.


Me helmin jam mësuar kam një jetë
por nëse më pikon pakëz vështrim
do t’ëmbëltoje sonte një të shkretë,
dikë që pa një ëndërr regëtin
dhe gati është t’i shkojë varrit vetë.


Të hidhur e kam pirë tërë jetën
Por nëse sytë e tu plot qiell e shije
m’i fal t’i hedh në kupë e lehtë-lehtë
t’i tret me një durim prej Perëndie
pastaj ti pi, t’i shter si shiu retë.


E nëse s’e ke zor të vraç një plak
ma mbush një kupë plot ku ti ke pirë
ti vë buzët e mia fare pak
aty e do të ndjehem rob i lirë,
më sikteris në daç, në ferr më flak.


Në sytë e saj u ngjesh plot kërshëri
e priste që t’i sulej: i pacipë!
A je në vete ti! Nuk je më as i ri…”
Po ajo lëshoi veç një psherëtimë
e tha në do ti puthmë që tashti.
Sa shpirt të bukur paske, o njeri!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT

Kastriot Malo-Nga ty njeri.

Arjana Fetahu Gaba-

Anila Toto-Mbaj në duar