Kritika letrare është një “profesion”, një zeje e shkathtësi shumë e rëndësishme në fushën e letërsisë, artit dhe kulturës. Kritiku letrar analizon, interpreton dhe vlerëson veprat letrare për t’i bërë ato më të qasshme dhe më të kuptueshme për lexuesit. Puna e tij ndihmon në formimin e opinionit publik dhe orientimeve kulturore nëpërmjet recensioneve, qëmtimeve e gjykimeve studimore e letrare.
Pikërisht një zeje të këtillë e ushtron me zell e pasion të thellë edhe autori Zekerija Idrizi.
Rrjedhimisht, z. Idrizi – studiues, teolog, publicist, eseist, dramaturg e romancier, është sot njëri nga zërat më të spikatur të kritikës e vështrimeve letrare. Në këtë rrafsh ai ka publikuar me dhjetëra e dhjetëra shkrime kritike letrare dhe deri më sot ka botuar tre libra në këtë drejtim: “Në botën e artit letrar”, “Vështrime estetike e letrare” dhe tani librin e sapobotuar “Përsiatje studimore e letrare”. Aktualisht në përfundim e sipër e ka dorëshkrimin me titull “Në gjurmë të kritikës estetiko-letrare”.
Në këtë fushëveprim krijues z. Idrizi ka një talent e aftësi të rrallë, të jashtëzakonshme për të depërtuar thellë në thelbin e veprave studimore, filozofike, eseistike e estetiko-letrare. Mandej si studiues profesional me dekada i teologjisë dhe religjioneve ka gjurmuar thellë në tekstet e librave të shenjtë për të kapur esencat e hermeneutikës dhe ezoterizmit të fjalëve hyjnore. Me po këtë metodologji studimore e kritiko-letrare ai i qaset edhe në analizë shumë veprave të autorëve vendorë e ndërkombëtarë.
Kritikën e tij gjykuese e karakerizon një gjuhë e diskurs i ngjeshur sa shkencor e filozofik aq edhe i pasur në pikëpamje ortografike e semantike. Vet personalisht jam gjuhëtar dhe profesor letërsie, kështu që, si redaktor, herë-herë recenzent e lektor, madje edhe botues i afro 30 veprave të Z. Idrizit kam vënë re që ky autor e zotëron në nivel sipëror sintaksën dhe morfologjinë e gramatikës shqipe, e përshkuar paralelisht edhe me një diskurs të pasur nga terminologjia e shkencave të ndryshme dhe nga disiplinat e shumta të filozofisë. Rrjedhimisht dhe më ndodh shumë pak të ndërhyjë tek-tuk në ndonjë fjalë o fjali te librat e tij. Të njëjtin vlerësim për të e kanë ndarë edhe ca recenzentë e lektorë të tjerë, deri edhe specializantë e studiues të thellë të albanologjisë.
Do theksuar faktin që veçori dalluese e këtij autori është qasja e tij e thellë dhe serioze në vepra studimore, romanore e vëllime me poezi, ku objekt meditimi e shkrimi janë temat më delikate nga logjika, psikologjia dhe veçantë nga filozofia, dhe te këto të fundit gërmon thellë me muzën dhe imagjinatën e tij kreatoriale, për ç’punë kapitale e përgëzoj përzemërsisht!
Pjesë të konsiderueshme nga optika e kritikës estetiko-letrare, z. Idrizi e ka shpërfaqur edhe te vepra e tij enciklopedike pesë vëllimore me titull “Portrete shkrimtarësh”, në të cilën për shumë vepra autorësh ka shkruar edhe qasjet, qëmtimet e shllimet e tij kritiko-gjykuese.
Ky libër, si edhe gjitha librat tjerë të tij, i bën një nder të veçantë letërsisë sonë kombëtare, me theks të veçantë kritikës së letërsisë.
Mr.sc. Fatmir Halimi, recenzent