Ndodh të mbash flakën dhe zjarrin në duar
Dhe prushin ta kallesh në gji
Digjesh dhe djeg si një plagë e rizgjuar
Thëngjijtë rizgjon era nën hi.
Digjesh dhe djeg si dikur Prometeu
Që ngjalli zemërim perëndish
Janë zjarre kujtimesh që ngjajnë si të fjetur
Por ndizen në çast, sapo t’u frysh.
Në dritën e flakës kërkoj të vërtetën
Te nesërmen dhe te djeshmen e shkuar
Shpesh m’është dashur të shkel mbi vetveten
Dhe diku pa dëshirë kam zemëruar.
Kam mbajtur zjarr në trup dhe në duar
Dhe prushin kam shpërndarë nëpër botë
Jam djegur dikur, por nuk jam penduar
Pa ta s’do të isha kjo Mozë qe jam sot.
