Mbyll sytë dhe me ty në mendje
Shoh ngjyrën e ngrohtë të ndjenjës,
Pulsimin e saj intensiv mbi qepallat e mia,
Rrathët e saj marramendës…
Hap sytë dhe e etur thith shpresën
Në klorofilin e pemëve që gjelbërojnë,
Degët tek zgjasin drejt diellit,
Ringjallësit të tyre, çudibërësit…
Papritur, kujtohem që unë diellin tim
E kam shumë më afër vetes,
Dhe kohës më nuk i druhem,
As mallit të mjegullt të ndarjes…