U ndamë së gjalli gjaku nga gjaku,
me vite larg,shumë kohë pa u parë,
nëna nga fëmija,motra nga vëllai,
një gjak i shprishur,
një shpirt i vrarë.
U ndamë me vite e jo me ditë,
fytyrëharruar,zemërpërmalluar,
s’po njohim njëri-tjetrin
për fat të keq,
po ikin pa kthim,pa u takuar.
Po vdesin larg njerëzit tanë,
në dhe të huaj kallur, pa dëshirë,
po vdesim, njerëzit pa i parë,
pa u çmallur,pa thënë lamtumirë.
Kohë të rënda e të vështira,
na zuri ne brezin e harruar,
çdo brez ka hallet e dertet e veta,
por ne jemi brezi i sprovuar.
Rini diktature,rini e diktuar,
ato ç’ka deshëm,dot s’i realizuam,
rini demokracie,
ndoshta e shpenguar,
nga mendësia e vjetër
dot s’u çliruam.
Po provojmë kurbetin,
plagë e rikthyer,
gjakmarrjen e dalë
nga kanuni harruar,
po sfidohemi me dhunën e urryer,
me sprova që kurrë
s’i kishim menduar.
Gjysma e gjakut ikur,përtej oqeanit,
“shtatë fusha larg e male kaptuar”,
e ne gjysma këtu
në atdheun e pafat,
mbetëm zemërthyer e mallëpashuar.
Prit e prit me muaj,
prit edhe me vite,
nëna për fëmijën,
fëmija për babanë,
pret vajza e valëve,
në breg zemërngrirë,
pret motra-motrën,e motra vëllanë.
Prit e prit me vite,
pritja s’ka të sosur,
gjaku përtej detit,pothuaj harruar,
prit,po dhe kur kthehen,
gjaku është ftohur.
buzëqeshje e ngrirë,
zemërngurtësuar.
Nëna erën e djalit do që të shijojë,
për sa vite larg,të qeshë,të çmallet,
gruaja pret burrin,
shtyllën e shtëpisë,
por s’e dinë se këtu
zënë fill krejt hallet.
Burri për kaq vite,
tashmë krejt i ftohur,
jo vetëm për gruan,
por dhe për fëmijë,
e djali kujton nënën e harruar,
po zemra tij është larg,
zemra tij ka ngrirë.
