Më lër të përpiqem edhe një herë
Rrugëve të mia t’u lë nga një fjalë
Diellin ta shoh prap këtë pranverë
Në gardh të syrit të sitet ngadalë!
Vitet e ikura i lashë ndanë udhës
Qyrk le të bëhen për netët që vijnë
Jam mal i mbytur në pus të muzës
Maja fundoset, por rrënjët mbijnë!
I vetëm si ajzberg deteve do endem
Anijet dhe zogjtë do ikin e kthehen
Dhe nëse aty më nuk do gjendem
Ca engjëj me siguri do të rrëfehen!
Jam pemë e hirtë ku gjethet s’rrinë
Edhe pse vjeshta kërkon t’më fsheh
Tani rrugët kanë filluar të mërdhinë
Heshtjes do t’i thuash, ku iku, pse!
***
Më lërë të numëroj yjet e mbetur..
Lotët e harrimtë aty ti numëroj
Ç’humba te ti, s’kam për ta gjetur
Në detin tënd s’munda të notoj!
