Tuesday, October 14, 2025
BallinaVitrina e libritSadik Përvetica-ARKIVOLI I FRIKËS

Sadik Përvetica-ARKIVOLI I FRIKËS

Kurrizit të kërrusur të jetës
Lypja burimin të vërtetës
Aty diku mes teje dhe fatit tënd
Ku kish zënë e dergjej frika
Në shtratarkivolin e durimit

Po ti a e ke pyetur veten ndonjëherë
A të ka hije të jetosh si një mumie
As i gjallë as i vdekur
Me veshët tu prej elefanti
E me zemrën prej miu
Ku çdo ditë t’i ka gërryer zemrën dhe trutë thiu

Je strukur shpesh ashtu o i shkretë
Pa guxuar as të marrësh frymë
Nga padrejtësitë dhe barbaritë

Dhe ke bartur ke bartur ke bartur
Ashtu: kodër pas bregut
Arkivolin tënd në krah
E qefinin në kokë

Nga frika prej mjegullave gjigante
Mbështetur në asgjë prej drejtësie

Asgjëja këmisha jote e përditshme
Një këmishë plot me zdrale jete
Ta ka zënë frymën të ka ngulfatur

E ti s’ke guxuar as të mendosh
Se një ditë ti duhet të ikësh prej saj
Si prej dreqit

Dhe, për çudi, ti i ke thënë vetes se ke qenë njeri
Edhe atëherë kur ti ashtu s’ke mundur të jesh

Për diçka që edhe ty të ka vrarë vazhdimisht
Ti është dashur të guxosh
Që frikën tënde ta mbyllësh në arkivol
Dhe ta dërgosh në varreza
Para se të shkosh edhe vetë – përgjithmonë

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT