Mbështetur parmakëve të vjetër të dritares,
Unë prisja me ankth të vije ti.
Jashtë binte shi i sertë
Vetëtinte diku
Diku gjëmonte.
..
Unë prisja e lagur prej mallit
(thellë kraharorit tulipanë të kaltër
kishin nisur të lulëzonin )
A thua do të vije?
Fytyra jote shpirtin tim të ndriçonte…
Shkruaja emrin tënd mbi avuj pritjesh
Me frymë krijoja yje e drerë,
ëngjëj të vegjël me krahë
Të të mbronin ty
Dreŕët të tregonin shtegun e bardhë.
Dëgjoja klithmën e çartur të zemrës sime.
Vallë a do të vije?
Jashtë demonët e shiut
të pamëshirshëm nxitonin të të ndalnin,
ngrinin kurthe këmbëve të tua
për të penguar ardhjen tënde.
Unë prisja !
Një çast më parë
Një minutë më shumë
Mbi xham vizatoja kryqe e rrathë me gishta
Hapja shtigje, krijoja udhë
rrëzoja mure e kurthe
sa pritja m’u qep syve,
sa pritja m’u bë yll…
