Shkruan Mentor Serjani
Nga kujtimet e fëmijërisë, tek freskia e përjetshme e detit Jon
Në jug të Shqipërisë, në këtë vendnjë të bekuar të natyrës ku deti përqafon tokën me një dashuri të qetë e të thellë, shtrihet plazhi Bunec-Sasaj, i njohur ndryshe si Lapardhaja. Kjo perlë e fshehur mes kodrave të gjelbëruara dhe brigjeve të bardha, nis nga porti i vjetër i Sasajit e shtrihet deri tek përroi i Notarit, aty ku dikur ndodhej farishtja e perimeve dhe agrumeve – krenaria e sektorit bujqësor Piqeras-Sasaj.
Një e diel e zakonshme vere e ngrohtë ,e hareshme, na gjeti aty – një udhëtim familjar i mbushur me dashuri dhe breza: nga nipërit e mbesat, tek stërnipërit, stërmbesat e kunatat. Një kthim në vendlindje që nuk është thjesht një rikthim gjeografik, por një rikthim shpirtëror.
Ujërat e detit Jon, këtu janë si pasqyrë: të pastër, të kristaltë, të ngrohtë. Një kaltërsi që s’të ngop, që të përqafon me valët e saj të lehta e ritmike – një zhurmë e ëmbël që të fton në meditim dhe të zgjat dorën për t’u dashuruar me të. Rëra natyrale, e nxehtë dhe vezulluese, deti reflekton dritën e diellit si një skenë gjigande me mijëra drita që ndizen e fiken pa pushim – një spektakël natyror që të lë pa frymë.
Nën hijet e çadrave, njerëzit shlodhen, fëmijët luajnë, ndërsa mendimet rrjedhin si valët që përplasen butësisht në brigje. Qetësia e këtij vendi nuk është vetëm mungesë zhurme – është një qetësi e brendshme që mbizotëron në këtë amfiteatër natyror gjigand, ku qielli, deti dhe gjelbërimi krijojnë një harmoni të rrallë.
Nga Portopalermo deri në Kepin e Qefalit, syri sheh thellësi detare që çojnë deri në horizontin e bukur të Korfuzit. Poshtë tokës, lumi Sasaj derdh 407 litra ujë në sekondë drejt detit, duke i shtuar freski, pasuri dhe jetë. Uji i tij sjell me vete aluvione që ushqejnë bimësinë detare dhe gjallërojnë faunën nënujore.
Kodrat përreth janë të gjelbëruara deri në zonën e Makjeve, ndërsa retë e bardha në qiell duken si tufat e leshit – të buta, të ngrohta, simbol i verës së plotë. Është një peizazh që ngjan me një pikturë të gjallë, një kartolinë e gjallë që s’ka nevojë për filtrat e teknologjisë.
Në këtë ditë të bukur, një surprizë na gëzoi edhe më shumë – mbesa jonë, vajza e motrës, mbërriti nga Tirana për të ndarë me ne këto çaste kaq të rralla. Dhe ndërsa udhëtojmë drejt Sarandës, duke lënë pas këtë mrekulli natyrore, e dimë se këto bukuri do të mbeten përherë aty – në kujtesën tonë, në shpirtin tonë.
Sepse vendlindja, siç thoshte i madhi Petro Marko, është vendi më i bukur në botë. Edhe kur të mos jemi më fizikisht këtu, shpirti ynë do të rikthehet, do t’i sodisë këto pamje me sytë e padukshëm të dashurisë hyjnore për tokën që na lindi.



