Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany po e shijon suksesin e arritur ndaj Real Madridit, që vlen kualifikim në gjysmëfinalen e Champions Leagues, ku do të përballet me Paris Saint-Germainin.
Trajneri belg foli në mikrofonat e “Prime Video” për sfidën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por edhe për sfidën e radhës ndaj kampionëve aktualë të Evropës, përcjell “Gazeta Express”.
“Jam shumë i lumtur, krenar për skuadrën, është diçka pozitive për të gjithë. Tani duam të kualifikohemi në finale”.
Çfarë vlerësimi i jepni kësaj ndeshjeje?
“Mendoj se e kemi bërë gjënë më të rëndësishme në futboll: kemi qëndruar në lojë edhe pas disavantazhit. Ta fitosh këtë ndeshje dhe mënyra se si e bëmë është diçka speciale për tifozët tanë.”
Tani mund të ëndërroni diçka të madhe?
“Ne e bëjmë këtë që nga fillimi i sezonit. Do të përballemi me skuadrën që e ka fituar Champions Leagues vitin e kaluar dhe që duket edhe më e fortë. Do të jetë një tjetër mbrëmje e madhe futbolli dhe do të provojmë të arrijmë në finale.”
Bayern Munichu e konfirmon kështu forcën dhe ambicien e tij në Evropë, duke e eliminuar Real Madridin pas një përballjeje të luftuar dhe duke e siguruar një vend mes katër skuadrave më të mira të kontinentit.
Tani bavarezët do ta kenë përballë Paris Saint-Germainin në një duel që premton spektakël, me objektivin e qartë: finalen e madhe të Championsit.
