Prekje shpirti
(e ripunuar)
Më mungon
e prekja jote kushedi ç’formë ka marrë.
Arome malli më vjen nga larg,
e malli lind nga mosprekja e gjatë.
O prekje e hyjit zbritur në tokë,
mornice derdhur me drithërimë,
fshehur diku, nën lëkurë
ngërç, që ngjitet
e ndalet në fyt.
Të prekësh shpirtin tënd,
jo s’qenka e lehtë.
O fllad,
aromë, që vjen e iken pa adresë,
shpresë e agut që nxiton,
një batice dashurie në pritje,
një melankoni
që lë mallin në buzë.
Mbeta një liman dhe pres të zgjohem nga ëndërra.
Mos më prek pra i dashur,
po vuaj nga malli i viseve të largëta.
Në ikjen time.
Do vijë një ditë e do iki nga kjo botë
e trishtimin tuaj do ta mbledh një çast.
E di cilët do më vajtojnë me lotë
teksa shiu monoton troket mbi trotuar.
Lotët do t’i kthej në një shi të ëmbël,
mbledhur në një oaz parajse
dhe pik – pik për të dashurit e zemrës
në çaste thatësire, në çaste e ndarjes.
Do t’i harroj fjalët e hedhura në erë,
ca puthje vjedharake pa identitet.
Ato që më gjelbëruan në dimër e në verë,
si plagë do t’i mbaj dhe atje mbi retë.
Në parajsë do çoj pa menduar dy herë
puthjet e plagosura lehtë nga dashuria
Ato thjesht natyrisht do t’i ndaja
ti shijoja mes engjëjve ,
të gëzohej dhe vetë parajsa!
Buzëmbremje poezi
Buzëmbremje eshte vetem një fjale
një togefjalesh dashurie.
Tok ,të dy, bashkë në një vatër
një sinonim i shpirtit
relaksim i kurmit .
Në këtë buzëmbrëmje,
dita rendi ashtu thjesht,
drejt gjirit të natës ,
renda dhe unë me të,
pa kuptuar pse.
Mbusha minutat e pritjes
dhe heshtjes i dhashe zë.
Por nata në tjetër sfidë sonte po më fton
të hyj fshehurazi në shtratin e ëndrrës bashkë me të…
Ura e psherëtimave
Venezia, Il Ponte dei sospiri. Italia
Fjalë të burgosura nga “liria” e ligjit,
të kyçura në përçapje heretike,
vegjëtim humbellave të shpirtit.
Të etura mes heshtjes së mbytur
mbi ranishten e butë të ëndrrave,
aromë zambakësh ndjellin
përqafuar me detin..
Porta, si kënga e tretë e Dantes,
pafajshëm kërcet natës së ferrit,
mes ah – esh, rënkime prangash,
çelësi dihat rëndë
si Quasimodo shtrembak mes gishtash.
Tik- traku tremb ajrin dhe mpak
gjallesat e rindezura, befas.
Regëtima jete e shpirtëra të lëshuar,
hapa të përhumbur, shpresa ,
presin mes urës këputur,
në krahë pëmallimi,
të një nënë a fëmije me aromë bliri.
Kjo urë veneciane, jetëgjatë sa liria
E shkurtër sa filli ndarës i jetës nga vdekja,
me hapa psherëtimash mbrujtur,
agjërimesh netëve të bardha.
Nën thëngjij prushndezur
për atë psherëtimë lirie rri zgjuar.
Poshtë ujërat rrjedhin të paqta
me nanuritje,
përkëdhelje të ëmbla pafundësie.
Zgjohen dhe muzat Kurtizane,
lajkatare në këtë buzëmbrëmje .
Nën këngën e gondolierit mbyll sytë e përhumbur,
mbi duar një varg lirie
magjishëm
sjell një psherëtimë dashurie të pajetuar.
Unë dhe Kazanova,
dy jetë,
dy kohë të pambaruara.
Shënim: Kjo urë lidhëse Veneciane midis burgut e gjykatës mbushej përgjatë 11 metrave
me psherëtima lirie e dhimbjeje sapo shihnin një copë qiell…
Il ponte dei sospiri në Venecia. U ndërtua në vitin 1600- 1603.
E gjatë 11m.
Ca pengje.
Kam peng dy sy me shpirt e të ullinjtë
ca nanuritje të ëmbla, muzikë në vesh,
drithërima të largëta që netësh shkrepëtijnë,
ca gishtërinj të butë kadife kam peng.
Kam peng disa flakëza që shkrepin veç ëndrra,
q’i ndeza dhe i fika me frymëzën e erës.
U tremba se mos digjesha dhe vetë aty brenda,
me shpirtin pjalmuar prej flladeve të verës.
Me vjen prap ai zë, më vjen puhi Prilli,
e syrin ma ndjell, por ja që s’fle dot.
Kështu dhe atë, si zog e mbaj fillthi
në shpirt e kam peng, kaq ditë e kaq mot!
Kam mall për buzët me afshin e tij
E peng i tyre jam, dëshirash përflakur
Në jerm po digjem e kthehem në hi
në shpuzën e mallit në zjarrin e mpakur.
Sa pengje mblodha këtu në nënkresë;
Por pengu m’i madh më erdhi në varg
e kam mu këtu: një zog mes folesë
dhe nata nuk dihet kur ikën, kur zbardh.
