Ëndrrat fëmijnore
Kur ëndrrat fëmijnore mbahen në grusht,
grushti zmadhohet sa bota,
të thanë se vapa nuk ikën me gusht,
besove se bota është e jotja.
Ti besove,
e u mrekullove pas fjalës,
dorën grusht e mbajte gjatë,
kur e hape me një fëmijë-lyps më përngjasove,
edhe pse s’kërkove lëmoshë për dorën thatë.
Dhe qan për ëndrrën që s’e preke,
po s’e di përse të dhemb!
Ëndrrat janë hije që të ndjekin,
dhe shfaqen shpesh herë në emrin tënd.
Ti je fëmijë e s’mund ta dish,
se ëndrrat janë thjeshtë një iluzion,
iluzioni fshihet pas shtatë botëve,
dhe veç si ëndërr jeton.
Nëpër natë
Nata është veshur me të bardha
e ndryshon pamje për sytë,
eci me mend monopateve,
kërkoj nga larg një natë të dytë,
një vjeshtë të vonë që pendohet,
kur moti ftohet,
dhjetorin që akull sjell
ende pa u plakur,
në netë me shi e në ditë me diell,
një qiell i largët,
largësi brenda meje përcjell.
Po lind kthjelltësi e një shikimi,
që shton ndjesitë që syri sheh,
retë lëshohen përtokë
si shtëllunga tymi,
nëpër natë
dallohen misteret e një dite të re…
Ende më flet fëmijëria…
Dua të ngjitem shkallësh e të fluturoj,
lartësive të mia,
sikur ende rritem…
Ende më flet fëmijëria,
ec…
po ku të shkoj,
se më ndal e më thotë: pritëm!
Po ku ta pres,
hypur mbi një re të bardhë që zbret,
a brenda shpirtit të bardhë që ngjitet?
Më mirë diku në mes,
në vendtakimin e territ me dritën.
Te një ag më i bukur se hija ime në diell,
te një cak që kurrë s’më la vetëm.
Rritem,
duke u bërë më i vjetër,
më i heshtur,
më i mirë,
më fëmijë
se kur e nisa jetën
