Ecte në trotuar
me kokën lart
dhe bukuri të rrallë.
Fytyra e saj engjëllore,
me sy të kristaltë,
vështronte përreth
njerëzit që e adhuronin.
Me buzëqeshjen e saj
të skalitur,
dukej sikur i falënderonte
ata që e shikonin.
Zoti ishte treguar
tepër bujar,
duke i dhuruar
kësaj shtojzavalle
bukuri të paparë.
Michelangelo, po të kishte gdhendur
atë shpinë të brishtë,
s’do të kishte arritur
një përsosmëri magjike
si kjo shtojzavallë plot dritë…
