Qëndrojnë bustet, të heshtur paqësor,
Flladet i përkëdhelin, si të ishin fëmijë,
Njerëzit i shohin, por vetëm në përvjetor
Për të bërë homazhe, pranë tyre vijnë.
Nënat shamizeza të plakura kanë ikur,
Që shpeshherë me lule u vinin pranë,
Madhështor me buzëqeshje të plasaritur,
Nëpër rrugë e në parqe pranë syve tanë.
Më dhimbsen kur i shoh si të harruar,
Të harruar nga historia e disa historianë,
Fëmijët luajnë e afrohen duke i shikuar,
Pak të habitur, se nuk e dinë kush janë.
Se atyre, nuk u flasim më për historinë,
Harresa si pluhur, gjithçka ka mbuluar,
Ndërsa bustet e kanë të shkruar lavdinë,
Është lavdia e kombit, që duhet nderuar.
Kjo lavdi e kombit është shkruar me gjak,
Nëpër beteja me armiqtë tanë mizor,
Por urrejtja s’duhet, të bëhet një shkak,
Në bashkimin, për një shtet arbëror.
