Nga 9 deri më 11 qershor 2026, Komuna e Hani të Elezit organizon edicionin e katërt të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Hani Elezit 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore mbarëkombëtare.
Për tri net me radhë, Hani i Elezit do të bëhet skena e folklorit shqiptar, duke mbledhur 20 shoqëri kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Përmes këngëve, valleve dhe kostumeve tradicionale, festivali do të promovojë vlerat e pasura të trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtin e bashkimit kombëtar.
Ky festival organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Hani të Elezit, Mehmet Ballazhi, me synimin që të ruajë, kultivojë dhe promovojë folklorin shqiptar, duke krijuar një urë lidhëse mes artistëve dhe dashamirëve të kulturës nga të gjitha trevat shqiptare.
Mirë se vini në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “Hani Elezit 2026” – festën e traditës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

