Në 112-vjetorin e lindjes kujtojmë Petro Markon, shkrimtar, intelektual i guximshëm dhe antikonformist.
I lindur në Dhërmi, ai kreu Shkollën Tregtare të Vlorës dhe që në vitet ’30 u bë bashkëpunëtor i revistave “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” e “ABC”.
Bindjet politike e çuan Petro Markon të luftonte vullnetarisht në Spanjë më 1936, por pas disfatës së republikanëve ai u zhvendos në Francë. Pas kthimit në Shqipëri u arrestua dhe u internua në Ustikë, (Itali) më 1941, por pas kapitullimit të Italisë fashiste u lirua dhe iu bashkua njësive partizane në Itali dhe më pas në Shqipëri. Në 1945 u emërua kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, por u burgos në 1947 për motive politike. Krijimtaria e tij përfshin poezi, tregime, drama dhe romane si “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit”, “Nata e Ustikës” dhe autobiografinë “Retë dhe gurët”. Veprimtaria dhe shkrimet e tij pasqyrojnë dashurinë për lirinë, ndjeshmërinë njerëzore dhe përkushtimin ndaj të vërtetës.
Ndërroi jetë në Tiranë më 1991 dhe pas vdekjes u nderua me titullin “Nderi i Kombit”
Burimi nga: Bashkim Kuçuku, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 1631/1632.
