VJESHTA PËRQAFON IKJEN E SAJ
Sytë e vjeshtës po mbyllen
Në klorofilin e pajetë të gjethit
që era e rrotullon ndër duar,
si të donte të hapte shpirtin
dhe të ndizte aty një zjarr.
Për të ngrohur orët e hirta të dimrit
dhe dashuritë ngrirë, akull,
që llahtarojnë për një frymëmarrje,
për një puthje të gjallë,
të presë fijet e gënjeshtrës
të rikthej ritmin e rrahjeve të zemrës.
Ndërkohë vjeshta përqafon ikjen e saj
në çdo gjeth të rënë ku ruhen sekrete,
dhe heshtja bëhet membranë e fjalës
si një muzikë që dëgjohet për çdo natë.
