Wednesday, February 4, 2026
BallinaVitrina e libritFan Noli-Anës Lumejve

Fan Noli-Anës Lumejve

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur,
po vajtonj pa fund, pa shpresë,
anës elbës, anës sprese.
Ku e lam’ e ku na mbeti,

vaj-vatani e mjera mileti,
anës detit të palarë,
anës dritës së paparë,
pranë sofrës së pangrënë,
pranë dijes së panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

Se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e prenë e se ç’e vranë,
ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës,
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.

Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitun dhe zalisur,
ëndërronj pa fund, pa shpresë,
anës elbës, anës sprese
.
Dhe një zë vjen nga lumi,
më buçet, më zgjón nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.

Ngrihuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbës, anës sprese.

Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.
Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbës, anës sprese.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT