Prej Trojës së Lashtë
e në Kosovën e sotshme që po e jetoj
qindra herë më kanë kallë janarët
deri në hi
Pa një mal zogjsh më kanë lënë
pa bimën e sapo mbirë
dhe zjarret që shkrinin akuj
m’i kthyen në gjëmë
Mallin e shtresuar nëpër shekuj
për shpirtrat me një mal ëndrrash
që m’shkuan
as oqeanet s’e shkulën – ka lëshuar rrënjë
Nuk i dua janarët
jo pse më mërdhijnë deri në palcë
po dhimbjen ma trazojnë
kah është e kah s’është
ato t’therura të nëndheshme zemre
që qiejtë i zjarrmojnë
E si t’i dua kur deri në asht më prekën
e s’u dhash’
… po u rilinda e u përlinda
rrënjëve të hershme
prapë
