Ndoshta askush
s’di ç’të bëjë me gjithë gurët
që rrokullisen në udhët e përditshmërisë
dhe, si mendime të paqarta,
godasin fort shpirtin
.
Po të shpërqendrohemi,
do të pengohemi si zogj në furtunë;
po të bëhemi të dhunshëm,
do t’i kthejmë në plumba,
në hije që thyejnë zemra.
E di:
Davidi e ndali Golian
me një gur të bërë rrufe;
Mikelanxhelo
e shndërroi gurin
në të pavdekshëm.
Po ne…
ne ç’të bëjmë?
Si ta shndërrojmë një gur në urë,
një pengesë në shkallë,
një mburojë,
apo themel
për ëndrrën më të bukur?
Diferencën kurrë s’e ka bërë guri,
por njeriu,
si zanafillë e zgjedhjes.
