I lidha ëndrrat në gremçat e hënës
që gjumin e trazuar,
ta shijoj në qetësi,
i lidha yjet në fijet e shpresës,
që jetën të ma ndriçojnë
si me magji.
E fsheha frikën,
në cipën e zezë të natës,
që jetën mos t’ma prishë
si shumë herë,
e hodha lodhjen
në honin e kohërave,
që trupin ta ndiej lehtë,
si në dimër e në verë.
I fshiva me gomën e arsyes
gabimet e pafajshme,
që e shkuara t’më kujtohet
pa pendim,
i zbukurova me yje kujtimet,
që të ndrijnë përjetësisht
si një agim.
