e rrezikonte të na zinte nën të!
Por, jo larg prej andej
u zgjuan Bjeshkët e Nemuna,
u ngritën Malet e Mëdha,
të mbaheshin e të mos binin…
Prej kullash si kushtrim
doli një zë!…
Ndodh të dashurohemi me gjurmët
Ndodh të dashurohemi me gjurmët,
shtigjeve që vjetërohen…
kur mbijnë pisha të reja na dhimbsen,
kur mbijnë ferra dhimbjet shtohen.
Ndodh të dashurohemi me gjurmët,
çdo ditë më tepër,
e ato na zhbëhen para syve,
brenda të sotmeve e të djeshmeve.
Ndodh të dashurohemi me gjurmët,
shtigjeve nga kalojnë kafshët që do,
pyjeve ku mungojnë livadhet,
mbetën ecejaket po ato.
Ndodh të dashurohemi me gjurmët,
deri sa të na harrohen fjalët.
Ti ishe Eva
Ishe Eva,
s’kishte shumë rëndësi
që e mbaje këtë emër.
Prej Adamit dole si dhimbje, nga një brinjë;
prej dhimbjes u shndërrove në femër.
E largët për sy të ligë,
e virgjër,
e paprekur nga mëkati.
Në Eden shëtisje lakuriq,
siç të solli fati.
Ndoshta s’e dije,
se Adami
do ta hante mollën e mëkatit me dëshirë,
që ti të shndërroheshe prap në dhimbje,
e ai do të të merrte me të mirë.
