Një rrugë tjetër mes meje dhe teje
duhet të jetë,
përderisa gjithë kjo bardhësi më bie
ndesh me gjurmët
që nuk i lashë kurrë tek ti.
Ti e di
që kujdesem për veten
më pak se për dritën tënde
kur bie nata
e mblidhesh si shall
mbi pishat.
Unë dremita bukurinë tënde
përballë dritares,
duke të zgjatur
të vetmen mundësi…
njohjen me ty.
Si fëmijë lexoja librat me përralla
dhe ti më dilje sysh
me ketrat bishtpërdredhur
që me boçet e pishave
gjuanin topa bore
për t’u rrokullisur
para meje.
Ta njoha ftohtësinë,
brishtësinë,
sekretet e mia të vogla
t’i besova
pa m’i kërkuar.
