Një ditë në rrugë, njoha një vajzë,
e pashme edhe lozonjare ishte.
E imja m’u duk bota atë çast,
trupin të bukur,si sorkadhe e kishte.
Të isha pranë saj,në çdo kohë doja,
fustanin me pika e njihja që larg.
“Sa me fat je!”, vetes i thoja,
në ëndërr më vinte për çdo natë.
Fustani blu me pika të bardha
u bë për mua, më i preferuari.
E shihja të veshur në tjera vajza,
turresha me vrap, më ikte truri.
E dashurova atë fustan me pika,
sa qiellin çdo natë rrija vështroja.
Gjumi, larguar, vjedhur nga dita,
me yjet flisja , natën kaloja
Nisa t’ngatërrohesha,saherë që dilja,
se tjetër femër në atë fustan shikoja.
Ishte i njëjti në prerje, blu me pika,
por nuk ishte vajza që dashuroja.
Vonë e mësova historinë e fustanit,
nuk qe i vajzës që unë doja.
Ishte një fustan me pika i mamit,
e vishnin të dyja, që t’i ngatërroja.
Qeshëm atëherë prej këtij rrëfimi,
kjo gjë ndërmend s’më kishte shkuar.
Kët’ lojë me mua e kishin bërë nga fillimi,
e vishnin të dyja për t’ më ngatërruar.
