Real Madridi ka pësuar gabimin e dytë radhazi në kampionat, duke u mposhtur 0-1 nga Getafe në javën e 26-të të La Ligës. Humbje që i kushton shtrenjtë skuadrës madrilene, e cila tani mbetet 4 pikë pas Barcelonës në garën për titull.
Ndeshja nisi me dominim të vendasve. Vinícius Jr rrezikoi që në minutën e 14-të, ndërsa Arda Güler në minutën e 24-t arriti të depërtojë bukur në zonë, por në të dy rastet portieri David Soria reagoi në mënyrë fantastike.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 39-të. Martin Satriano përfitoi dhe me një goditje të menjëhershme dërgoi topin në këndin e sipërm të djathtë, duke mposhtur Courtois për 0-1. Ishte një supergol që heshti “Santiago Bernabéun”.

Në pjesën e dytë, Real Madridi shtoi presionin. Tchouameni rrezikoi me kokë, Rodrygo humbi një rast të artë me kokë pranë vijës së gjashtëmetrave, ndërsa në minutën e 90-të Franco Mastantuono pati shansin ideal për barazim, por Soria bëri edhe një pritje vendimtare.
Me këtë humbje, Real Madridi regjistron gabimin e dytë radhazi dhe komplikon seriozisht garën për titull, duke mbetur tashmë katër pikë pas Barcelonës në renditje.
Gara për La Ligën mbetet e hapur, por presioni mbi madrilenët po rritet ndjeshëm./Demokracia.com/
