Friday, March 14, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poeten Mimoza Çobo

Cikël poetik me poeten Mimoza Çobo

VALLJA E OSMAN TAKËS


Në mes të Janinës kërkove të hidhje valle,
ti bir konispoli ,rritur me tradita çame,
të kërceje si sorkadh mbi një sini dasme,
që kushedi sa nuse kish përcjellë në vakte.
Kërkove bekimin e nënës hallemadhe,
bijtë e vendlindjes e të famshmet saze,
se fill ,i vetëm nuk e kërceje dot vallen ,
ndaj kërkove trima të lindur nëpër tallaze.
Kryet gjer në re , djalë levend me halle ,
ithtar i denjë i valles së vjetër çame,
si malet lidhe supet , me trima konispolatë,
muskujt bëre flatra , çudite dynjanë.
Kur fustanellë e bardhë puthi tokën çame,
gjysmë hëne vallja mori vrikshëm pamje,
majat e gishtërinjve ndezën përreth zjarre,
me shkëndijën e syrit asqerët i vrave.
Si një muzë lirie, valiut me valle i thua:
Lot’i mëmëdheut,hidhërim për mua ,
kush e shkel me këmb ,mallkimin vuan,
nga çdo plis dheu ngrihet një fajkua.
Pa mugulluar dita,rënd hodhe vallen,
mbi gjoksin e çamit ti shqiponjë e maleve,
i kalle ethet valiut që kundronte vallen,
gërvishe plagë dhe trondite varre .
Përposh ballit zbriti bukuria luftarake,
syri me shkëndija,vetulla gajtane,
krahët e shqiponjës në cepa qepalle,
u bëre shenjt i lirisë dhe i valles.
Në mes të Janinës,ylltove vallen came,
Osman Taka,djalë me zemër vigane.
Një vali me asqerë e bëre për vig,
me kthetrat e valles ua kërreve sytë .

……………………………………………………………………..

SHIU I JANARIT “MË VRET”


Ky shi janari veshur me grimca mjegulle,
trazoi hirin e dashurisë së vjetër,
theu qerpikun e pritjes,lastarë pjergulle,
shuajti një mall e ndezi një tjetër.
Befas, u shfaqe ti,në kristalin e një pike shiu,
mbështjellë me një flokënajë reje.
Një degëz mimoze,në retinë ngadalë mbiu,
e dua shiun se ,të sjellë pranë meje.
Guxova të shihja në sy flakën e një rrufeje,
të prekja fijen e vetëtimës ku baresje ti,
mijëra pika shiu rrodhën nga barku i një reje,
u bëra arkë e Noes dhe të vura në gji.
Ky shi janari veshur me grimca mjegulle,
mban në sy imazhe,që më bëjnë të vdes,
sikur ta dije ,çfarë shoh në gjuhëzën e një reje,
do lumturoheshe,pse shiu i janarit më vret.
E do thoshe:Më tërbove me këtë mall në largësi,
që tret gurin e jo më mua që jam njeri.
Mirë sot u çmalla me ty dhe të vura në gji,
po si do mundem nesër,nëse nuk bie shi…

…………………………………………………………………….

MOS MË NDËSHKO ME DHIMBJE QË S’I DURON DASHURIA !
Pa diejt e syve të tu,kjo botë duket e errët,
qerpik’ i agut rrëzon muzgje të njelmët,
toka pret të veshi vellon e rrezes së verdhë.
Po si mund të shuhen,ata diej të nxehtë ?!
Ata diej që pëshpërisin fjalë zemre,për mua,
fjalë profetike,kurrë të padëgjuara .
Të shenjtë janë ata diej me energji eterne,
janë drita më e ndritshme e kësaj jete.
Rrëkeza e përrenj në sytë e tu janë derdhur,
grimca dheu në retinë kanë mbetur,
gjoksit janë përplasur stuhi dhe shira vjeshte,
çuditërisht me të gjitha ke lidhje të përjetshme.
Siç ke lidhje me çdo grimcë të mikroplanetit tim,
me çdo thërrime lumturie sa tërë gjithësia,
ndaj s’mund të shuhen,ata diej gjithë shkëlqim,
të lutem,mos më ndëshko me dhimbje të tilla !
Dhe pse tani më ngjan një promete i cfilitur,
mu në mes të gjirit një re rrëpenjsh ka zbritur,
vesëholla e agimeve shtrydh gjinjtë nga dhimbja,
mbi sythet e vyshkura,hap gonxhet dashuria.
Pa diejt e syve të tu,kjo botë duket e trishtë,
brenda syve do të futem,tu jap diejve dritë,
s’duroj dot të shuhen ,ata diej sa tërë gjithësia,
mos më ndëshko me dhimbje,që s’i duron dashuria !

………………………………………………………………..

MË MBAJ FSHEHUR NË GJOKS
Ah,sikur të më mbash gjoksit fshehur ,
gjersa të fashitet,ky dimër i egër !
Askush të mos gjejë gjurmën e patretur,
veç dashurisë që më bëri grua tjetër.
Ah,sikur të më mbash gjirit,me aromë mushti,
thellësive të eshtrës me afshe gushti !
Vetëm pak çaste,fare pak,dua unë,
t’i përvidhem dimrit ,që ka ngritur kurth.
Të ndiej zjarrin e gjoksit ku teret bryma,
prushit t’i fryjë ,sa të më tretet fryma,
të shkrihem brinjëve pa bërë zhurmë,
kur bota të ketë rënë në gjumë.
Dhe kur të fashitet, ky dimër i hidhur,
mos më largo nga gjoksi me tallaze,
me fijet e universit tënd, mbaj lidhur,
këtë shpirt rebel, me stuhi ekstaze.
Të ndiejmë vlagën e tokës,që teret ndër diej ,
ngazëllimin e pranverës kur sythet shpërthen,
zhurmërinë e shpirtrave tanë, mrekulli e shenjtë,
dhe pse s’jemi më Zogj Parajse, turbullojmë qiejt.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT