Pranverë, përse kështu më ke molisur?
Përse muza ime ka rënë në gjumë?
Përse vargut dot s’mundem t’ia nis?
Përse ky shpirt kaq shumë më rëndon?
Zgjohem herët, pa zbardhur drita,
Shikoj lart qiellit nga lind ky diell i artë.
Mendja më vete larg, oh sa larg,
Atje ku dielli lind herët dhe i zjarrtë.
Atje është tretur ky shpirt i shkreti,
Ku dielli më ngrohte ëmbël këtë shpirt,
Ku nëna ma lëmonte ballin me dorën e saj,
E këshillat e babait ishin ushqim çdo ditë.
Përse sot jam zhytur në kujtime kohe?
Apo kjo moshë pleqërie aq shumë më sfidon?
Mundohem të kaluarën ta harroj,
Sa më shumë mundohem, ajo më vjen me hov.
Nxe, o diell pranveror, nxe më zjarr,
Na e ngroh shpirtin në këtë stinë të artë,
Se kjo jetë qenka veç brenga e vaj,
Këtu larg atdheut gjithçka duket e ftohtë.
