Nusja e re ecte me nxitim.
Në majën shkëmb të Valdamos tre vëllezër ngrinin muret e kështjellës.
Buna, Drini dhe Kiri rrethonin kodrën si gjerdanë me ujë të kaltër.
Pranvera po shkrinte dëborën e maleve dhe shtretërit e lumenjëve ishin rritur.
Bilbilat këndonin degëve të lisave e sheligjishteve.
Dallëndyshet cicëronin.
Një qyqe vajtonte diku:
-Ku- ku! Ku-ku!
Djalin e vogël e la në djep.
Nëntë ditë e nëntë netë lindur.
Nëntë ditë e nëntë netë ia mbushi shtëpinë me frymë dhe dritë!
Korbi i zi klithi tri herë:
-Krau! Krau!Krau!
Rrezet e diellit të majit i dogjën ballin e dërsitur.
Nga ankthi apo vrapimi?
Gërshetat e arta i binin gjinjëve, mbushur me qumështin e mëmësisë.
Dy gushëkuqë filsinin me gjuhën e zogjëve:
-E mjera nuse!
-I ziu burrë!
-I gjori fëmijë!
Tre vëllezërit muratorë ndalën çekanët.
Zemrat rrahën me forcë.
Fytyrat u zbehën.
Zërat u mekën.
Cila nga nuset po vinte t’u sillte drekën?
Plaku i urtë kishte thënë:
-Punoni ditën, muret shëmben natën. Kështjella kërkon kurban.
-Çfarë të bëjmë? -pyeti vëllai i madh.
-Të muroset një nga nuset tuaja…Ajo që do vijë nesër me bukën…-tha plaku. -Mos u tregoni grave. Mbajeni sekretin… si burra.
Me besë!
Vëllait të vogël iu ngriu çekani në dorë. Fytyra iu zverdh si mehiti. Guri iu rrokullis e mori tatëpjetën e kodrës me rrapëllimë.
-Rozafë… ti e kishe sot radhën?
-Jo, im zot…Kunata e madhe ishte sëmurë…E dyta kishte shkuar për dru…Zonja mëmë u nis vetë… por unë e ndala.
-Amanet djalin! -i thashë.
Dy vëllezërit e mëdhenj ulën kokën.
Rozafa hapi shportat:
-Ju bëftë mirë dreka, im zot! Po kthehem… djali më pret…
I shoqi e kapi nga krahu:
-Jo, Rozafë… sot nuk do të kthehesh.
As nesër…
As kurrë…
Do të murosesh në themelet e kështjellës.
U rreqeth kodra dhe kisha e shën Mari Magdalenës përballë Bunës.
U drodh mali i Taraboshit.
Klithi qyteti Scodron.
Buna, Drini dhe Kiri u bënë kallkan.
Rozafa hoqi nga koka shaminë, qëndisur me penjë argjendi dhe ia lidhi në qafë të shoqit.
-Kur të marësh djalin në krahë të ndjejë aromën e nënës.
Në cepin e syrit i ngriu loti.
-U bëftë siç tha plaku…Por kam një amanet.
Kur të më muroni, syrin e djathtë ma lini jashtë!
Këmbën e djathtë të ma lini jashtë!
Gjirin e djathtë të ma lini jashtë!
Djalin e kam të vogël.
Kur të fillojë të qajë, me njërin sy do ta shikoj.
Me njërën dorë do ta ledhatoj.
Me njërën këmbë do ta përkundë djepin.
Me njërin gji do ta ushqej.
Kur vjen pranvera, Buna, Drini dhe Kiri e rrisin shtratin, jo nga bora që shkrin maleve, por nga lotët e Rozafës.
Gruaja i dha emërin kështjellës.
Kështjella i dha përjetësinë.
