Në fjalën përfundimtare në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademjat, familja ka kërkuar dënim të përjetshëm për të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Palava e Kushtrim Kokalla.
Është duke u mbajtur fjala përfundimtare në rastin e Liridona Ademajt.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, ka thënë se Naim Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes në sytë e dy fëmijëve.
Ajo ka thënë se kjo vërtetohet nga të gjitha provat. Prokurorja kërkoi burg të përjetshëm për tre të akuzuarit.
“Naim Murseli e ka paraqitur grabitjen, dhe e ka hapur rastin si grabitje. Është vërtetuar se Naimi ka pasur raporte të prishura me Liridonën, për shkak të përfitimit financiar, dhe përfitimit moral e ka organizuar vrasjen. Kjo duke e luajtur viktimën e grabitjes duke e paraqitur Liridonën si dëm kolateral. Naimi me kujdes e ka planifikuar vrasjen, ku veprën e ka kryer Granit Plava duke shtënë me revole të cilën e ka marrë nga Naimi, dhe Kushtrim Kokalla që e ka gjetur Granitin”, tha prokurorja.
Prokurorja tregoi edhe detaje të tjera të rastit.
“Është vërtetuar se në qershor 2022 familja Murseli në Suedi e ka paguar polisën e sigurimit në emër të Liridona Ademajt, dhe menjëherë pas kësaj ai ka tentuar ta gjejë mënyrën që ta vras Liridonën”, tha prokurorja.
Burg të përjetshëm ka kërkuar edhe familja e Liridona Ademajt, me një letër që e lexoi Leonardi.
“I nderuar trup gjykues. Në këtë ditë kur flasim të gjithë ne që e kemi përcjellë këtë proces dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, një gjë e kanë të qartë. Se Naimi e ka organizuar këtë vrasje, së bashku me Kushtrimin duke e zgjedhur Granitin si vrasës. Ne kemi parë dhe dëgjuar shumë gjëra këtu. Kemi qenë prezent të gjithë, por nëse paku 22 videokamera janë kapur Naimi, Graniti dhe Kushtrimi”, tha ai.
Ai ka përmendur edhe përputhshmërinë e deklaratave të të akuzuarve, duke theksuar se ato ndërlidhen mes vete dhe përforcojnë versionin e prokurorisë.
“Ne kemi parë edhe përputhshmërinë e deklaratave të tyre të cilat lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Nuk dua t’i citoj të gjitha, por disa nga to po besoj duhet t’i përsërisim. Në deklaratat e dhëna Kushtrimi thotë: Naimi më ka thënë një vit para që ta vras Liridonën. Kushtrimi thotë: Kam qenë i pranishëm me Granitin dhe jemi takuar me Naimin. Kushtrimi thotë: Kur jemi takuar me Naimin e Granitin, Naimi i thotë Granitit ti po kryen këtë punë. Kushtrimi thotë: Naimi na ka taku me Granitin. Si do që të jetë, një gjë është e qartë. Këtë numër të Granitit, Naimi e ka marrë nga Kushtrimi. Kushtrimi thotë: Atë natë kritike, Naimi më ka thënë a e ke arritur të fshish tërë ekranin e telefonit”, tha ai.
Sipas tij, edhe deklaratat e Granit Plavës konfirmojnë përfshirjen direkte të të akuzuarve në planifikim dhe ekzekutim.
“Kushtrimi thotë: Pasi Naimi e ka parë policinë duke ardhur në ditën e varrimit, më ka pyetur për revole, a e ke fshehur. Ndërsa Graniti deklaron kështu: Asnjëherë nuk e kam njohur Naimin, vetëm përmes Kushtrimit jemi njoftuar se po shkruajmë. Naimi ka kërkuar me e vrarë Liridonën. Graniti thotë: Naimi më ka ofruar 30 mijë euro për ekzekutim. Graniti thotë: Sa herë jemi takuar me Naimin, Kushtrimi ka qenë prezent. Graniti thotë: Kushtrimin e kam shok të ngushtë. Naimi thotë ka kërkuar që Liridona me u vrarë gjithsesi. Graniti thotë: Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes dhe më ka thënë gjuaj gjuaj. Graniti thotë: Naimi më ka dhënë instruksione se si duhet të shkojë plani i vrasjes”, tha ai.
Në përfundim, Leonardi ka kërkuar nga gjykata që të shqiptojë dënimin maksimal për të akuzuarit, duke theksuar se çdo vendim tjetër do të ishte i papranueshëm për familjen dhe shoqërinë.
“Krimi që është bërë duhet të dënohet fuqishëm. Që fëmijët e Liridonës dhe ne si familje të jemi sadopak të lehtësuar nga dhimbja që kemi përjetuar. Kështu besoj jepet mundësia sa më shpejt të na bashkohen edhe fëmijët e Liridonës. Andaj, i nderuar trup gjykues, ditën e vrasjes së Liridonës, me të iku edhe gjysma e shpirtit dhe e jetës sonë. Na ka mbetur edhe një gjysmë jete, të cilën e keni në duar ju ta vendosni, se a duhet të jetojmë me frikë apo duhet të ndihemi të sigurt në vendin tonë”, tha ai.
“Andaj, kërkojmë që dënimi të jetë me burgim të përjetshëm. Çdo dënim tjetër e cënon, e denigron Liridonën, vendin, shoqërinë dhe vetëdijen e popullit tonë për këtë krim makabër. Vetëm vuajtja e dënimit të tyre lehtëson sadopak dhimbjen e familjes sonë dhe krijon siguri për vendin tonë, për raste se s’pari prap vrasje të tilla”, tha ai.
