Sonte mos më kurse,
më merr me vete në ëndrrën tënde,
të ndajmë të njëjtin gjumë në sy,
si dy yje të lodhur që prehen në një qiell.
Degët e shpirtit le t’i ndërthurim ngadalë,
si erëra që mësojnë njëra-tjetrën,
sytë e zemrës t’i hapim në heshtje,
dhe në errësirë të mbjellim dritë — sy më sy.
Më ngjit me vete në trungun tënd,
deri në qiellin pa brigje,
ku fryma bëhet dritë
dhe koha rrjedh si një lumë pa emër.
Si lisi që përqafon një hardhi të brishtë,
më mbaj në heshtjen tënde të thellë,
se gjethet tona janë ende udhëtare,
që kërkojnë diell në një univers të humbur.
Në kopshtin e Edenit të brendshëm,
mes misterit që merr formë në frymë,
mes dashurisë dhe mëkatit
që na sodisin si dy perëndi të heshtura.
Për një çast buzëqeshja ime u shua,
u bë rërë nëpër gishta,
për të dëgjuar fëshfërimën tënde
që vinte si një stuhi e butë nga shkretëtirat.
Dhe si mund ta dija atëherë
se ti ishe deti pa breg,
ku unë, si një sirenë e humbur në këngë,
do të zhytesha në dritën e thellësive.
Në akullnajën e zemrës sate eca zbathur,
mbi kristale që prisnin të shkrinin,
pa kërkuar shpërblim,
veç një grusht dhe për një farë ëndrre.
Doja të mbillja një lastar drite,
por malli u bë mjegull që më mbuloi,
dhe humba rrugën mes avujsh,
aty ku lumturitë flinin të ngrira në kohë.
E dehur pas teje mbetem ende,
si një kometë që s’gjen kthim,
në pistën qiellore të mendimeve,
ku rrotullohem rreth hijes tënde.
Nën kurorën tënde çela përsëri,
si një pranverë që lind nga dimri,
dhe në iluzionet ku strehohem,
ndiej rrënjët e mia të pijnë dritë.
Në sytë e mi rritet një pyll i gjelbër,
ku çdo gjethe mban emrin tënd,
dhe çdo frymëmarrje bëhet
një lutje që nuk di të shuhet.
