Sunday, April 19, 2026
BallinaVitrina e libritTë lexosh një libër, duke dëgjuar veten. (Mbi librin “RRUGA E KTHIMIT...

Të lexosh një libër, duke dëgjuar veten. (Mbi librin “RRUGA E KTHIMIT dhe tregime të tjera” nga Alban Hajrushi

Shkruan Bashkim Hoxha

Kur hap për të lexuar një libër të ndonjë autori të ri, kam ndjesinë se nisem në një udhëtim eksplorimi, kërkoj një peisazh letrar të ri, një përjetim të ri.
Jo gjithmonë e gjej atë, por kur mbylla kapakun në përfundim të leximit të librit “Rruga e Kthimit dhe tregime të tjera” të Alban Hajrushit, u ndjeva me ngazëllimin e një udhëtari që kthehet nga një njohje e re.
Në librin e tij me proza të shkurtëra gjeta një realitet poetik brenda vrazhdësisë së përditshmërisë së përshkruar, gjeta jetën zbuluar në një këndvështrim të ri, tepër personal të autorit por edhe komunikues me lexuesin.
Moshat e reja të krijuesve, natyrshëm, ashtu si në jetë, janë në një ekplorim që autori i bën jetës për hesap të tij, por Alban Hajrushi na tërheq të gjithëve në këtë eksplorim dhe na bën të gjithëve bashkëudhëtar të tij.
Për ta ndjerë të përbashkët këtë udhëtim autori nuk e bën vetëm me tematikën jetësore.
Rruga që më mbeti, Gjallëria e fshatit, Nën hijen e minares, Gjysmat që flejnë, Sekreti i ditarit të vjetër, nga qyteti, janë vetëm disa nga titujt që orientojnë lexuesin drejt të vërtetave të thjeshta të jetës, të vërteta që edhe lexuesi i njëh njësoj si autori.
Por Alban Hajrushi ka meritën dhe vlerën artistike nuk mbetet këtu.
E bukur dhe e papërsëritshme është se si e zbulon ai këtë realitet konkret në një mënyrë elegante dhe të prekshme: Alban Hajrushi në prozat e shkurtëra të tij, gati poetike eksploron realitetin e jashtëm duke u futur thellë e më thellë brenda vetes me përjetime.
Harmonia e përjetimeve me konkretësinë e jetës është një nga karakteristikat e këtij udhëtimi të bukur letrar përmes faqeve të këtij libri.
Përshkrimi i ndjesisë në mënyrë letrare është një detyrë e vështirë dhe shpesh herë kurth ku letërsia ngec, por është pikërisht harmonia midis eksteriores dhe interiores në faqet e ketij libri që e bën autorin të kapërcejë me sukses këtë vështirësi dhe të krijojë metaforat mbreslënëse mbështetur në detaje konkrete.
Një qytet i braktisur, një shtëpi ku pikon shiu. Një skutë vetmie apo rruga ku pritet kthimi. Një dritë e largët shprese. Disa herë nënat në rrugë apo në shtëpitë e trishtuara në pritje të bijve.
Nuk janë thjesht peisazhë të përshkruara bukur.
Ato lartësojnë letrarisht simbolin.
Pothuajse të gjthë prozat e këtij vëllimi janë simbolike. Me domethënie letrare dhe figuracion të pasur letrar ku më shumë se të gjitha spikat metafora dhe shndrimi i sendeve në ndjesi të brishta.
Nuk ka teatralitet apo artificialitet në këto shndrime letrare të realiteit, ka natyrshmëri, konkretësi dhe kjo e bën prozën e veçantë të Alban Hajrushit të jetë e komunikueshme dhe librin e kthen ne një bashkëbisedues ku lexuesi në heshtje i përgjigjet në heshtje me realitetin e tij, realitet i përbashkët në konkretësinë e detajeve dhe tepër personal në përjetime.
Ndodh ajo që autori e përshkruan në prozën GJYSMË PRAMNVERE:
“Në atë skaj fushe, ku gjelbërimi është më i zbehtë dhe hija më e gjatë, gjithçka flet me një gjuhë që kuptohet vetëm me frymë, jo me fjalë.
Gjysmë pranvere dhe bota ka ndalur, vetëm pak, për të dëgjuar vetveten”.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT