Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në veprimtarinë e parë Eskpresione Kulturore Italo-Shqiptare në bashkëpunim me shoqatën italiane “VerbumlandiArt”, hapi dialogun ndërkombëtar mes kulturës, gazetarisë dhe angazhimit shoqëror: “Verbum Mundi”:
Më 28 prill 2026, në kryeqytetin shqiptar u zhvillua eventi inaugurues i projektit ndërkombëtar “Verbum Mundi”, i promovuar nga shoqata italiane VerbumlandiArt APS dhe i realizuar në bashkëpunim me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë (UGSH). Një aktivitet i nivelit të lartë që mblodhi përfaqësues italianë dhe shqiptarë në emër të dialogut ndërkulturor dhe bashkëpunimit mes popujve.
Hapja zyrtare e nismës u shënua nga Presidentja e shoqatës italiane Regina Resta dhe Aleksandër Çipa, protagonistë të një takimi që hodhi themelet e një rrjeti kulturor ndërkombëtar të orientuar drejt vlerësimit të ekselencave në fushat e letërsisë, artit, gazetarisë dhe angazhimit shoqëror.
Projekti “Verbum Mundi” u prezantua si një hapësirë autoritative për dialog dhe bashkëpunim, i bazuar mbi vlera të përbashkëta si paqja, drejtësia, dinjiteti njerëzor dhe përgjegjësia kulturore.
Tema që, në kontekstin global aktual, u theksuan vazhdimisht gjatë ndërhyrjeve, duke nënvizuar nevojën për krijimin e hapësirave të dialogut të vërtetë dhe të qëndrueshëm.
Një nga momentet kryesore të ditës ishte ceremonia e ndarjes së çmimeve për personalitete që janë dalluar në fushat përkatëse. Mes të vlerësuarve, ishin: shkrimtarë, studiues, publicistë, përkthyes si Xhevahir Spahiu, Virion Graci, Behar Gjoka, Namik Dokle, Viola Isufaj, Engjell Seriani, Erion Kristo, Flutura Acka, Mujo Bucpapaj, Aleksandër Çipa dhe Artur Nura, të cilët u vlerësuan nga VerbumlandArt me çmime të ndryshme si dhe me Çmimin e Veçantë të Ekselencës për disa sfera dhe Gazetarinë, duke dëshmuar vëmendjen e projektit ndaj vlerës së informacionit ndërkombëtar dhe dialogut mes sistemeve të ndryshme mediatike.
“Verbum Mundi përfaqëson një vizion të gjerë dhe konkret: krijimin e lidhjeve reale mes kulturave të ndryshme, duke vlerësuar meritën dhe duke promovuar një kulturë të përgjegjësisë dhe dialogut” – deklaroi Regina Resta gjatë aktivitetit, duke theksuar se Tirana është vetëm hapi i parë i një rruge ndërkombëtare që do të përfshijë vende të tjera evropiane edhe jashtë Evropës.
Projekti parashikon një seri ndalesash dhe itinerare, me aktivitete të nivelit të lartë kulturor dhe institucional, të konceptuara si momente takimi mes institucioneve, intelektualëve dhe operatorëve kulturorë, me qëllimin për të ndërtuar një komunitet ndërkombëtar të bazuar mbi ndarjen e vlerave dhe bashkëpunimin mes ekselencave.
Delegacioni italian, i pranishëm në numër të madh, përfshinte ndër të tjerë Mirella Cristina, Francesco Lenoci, Eugenio Bisceglia, Maria Pia Turiello, Vinicio Leonetti, Tommaso Filieri dhe Angela Kosta.
Përkthyeses dhe shkrimtares Kosta, me këtë rast, iu percoll çmimi i UGSH “Branko Merxhani” me motivimin: “Për kontribut specifik në marrëdhëniet ndërkulturore e shkrimore mes Italisë dhe Shqipërisë. Përmes veprimtarisë si shkrimtare, përkthyese, poete dhe publiciste shquhet si përfaqësuese e ekspresionit kulturor shqiptar, në Europë.”
Me këtë aktivitet të parë, i cili u moderua nga gazetarja, poetja dhe moderatorja e njohur televizive nga Prishtina zonja Alketa Gashi Fazliu, “Verbum Mundi” synon të bëhet një pikë referimi në panoramën kulturore ndërkombëtare, duke forcuar rolin e VerbumlandiArt APS si një realitet dinamik dhe aktiv në promovimin e dialogut mes kulturave.
Më pas u prezantua libri i autores Regina Resta “UNË MBES FJALË”, i përkthyer nga Angela Kosta.
Tiranë, 28 prill 2026, Zyra Informuese – Unioni i Gazetarëve Shqiptarë


