Pas shiut, kur rrugët janë ende të lagura,
dhe mbajnë aromën e reve të lodhura,
shfaqet në horizont një dritë e heshtur,
shpresa, si ylber mbi plagët e mbjellura.
Ajo nuk vjen aspak me zhurmë por e qetë,
vjen si ylberi pas shiut, e butë, e lehtë,
duke qepur me ngjyra çarjet e zemrës njerëzore,
rreth e përqark i qëndis, si kristale dëbore.
Ka net kur mendimet si zogj të lagur pa fole,
dhe shpirti më endet si bleta nëpër hoje,
lëkundet si një varkë mbi detin e frikës,
ku yjet dhe as hëna nuk ndriçojnë dot.
Mjafton një dorē tē shtrëngoj herë pas here,
errësira nis e çahet si akulli në frymë pranvere,
shpresa, është fara që fle si kokrra e grurit,
duke besuar tek pranvera dhe kur dimri tallet.
Është kandil i vogël qē natën s’e mposht kollaj,
por i mëson zemrës si të ecë brenda saj,
ndofta ne të gjithë jemi copa resh, dritë, erë,
njerëz që rrëzohemi si shi por ngrihemi si ylberë.
Sepse jeta, sado trazime dhe stuhi të ketë,
gjithnjë fsheh diku një qiell që të hapet pret,
shpresojmë, patjetër çdo stuhi do të mbarojë,
dhe çdo zemër e thyer mëson të fluturojē.
